
Vodhi brenda makinës një çantë me shuma të mëdha parash, arrestohet 46-vjeçari në Tiranë
Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ky shtetas kishte vjedhur një shumë prej rreth 47 milionë lekëve, një pjesë e të cilave ishin euro dhe dollarë.
Pas arrestimit, Policia gjeti dhe sekuestroi një shumë prej 45 milionë lekësh, që ky shtetas dyshohet se i kishte vjedhur.
46-vjeçari është banues në Elbasan dhe i dënuar më parë disa herë për vjedhje. Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë-Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Përsëritësi”.
Vodhi në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash në euro,dollar e lekë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 46-vjeçari.
46-vjeçari, i dënuar disa herë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen rreth 45 milionë lekë, (një pjesë në euro dhe dollarë) që ky shtetas kishte vjedhur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e shtetases B.L, i parkuar në zonën e Medresesë, kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë të konsiderueshme parash(rreth 47 milion lekë, një pjesë në euro dhe dollarë), kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”., bazuar në inteligjencën policore dhe veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit:
G. T(M)., 46 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë disa herë për vjedhje.
Gjatë kontrollit të banesës së 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar shumën e parave që ky shtetas kishte vjedhur në automjetin e parkuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.