
Olluri falënderon qytetarët që e votuan: Do të punojmë që LDK-ja të rikthehet aty ku e ka vendin, si forca kryesore politike e vendit

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Ardian Olluri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë votuar atë dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai ka deklaruar se nga votat e numëruara deri më tani nuk ka arritur të sigurojë ulësen si deputet, por ka premtuar se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e vendit.
“Çdo votë e juaja për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për mua personalisht, gjithsej 8,488 vota, është një vlerësim i madh dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Mbështetja juaj është forca, shpresa dhe motivi im për të vazhduar rrugën që kemi nisur, për Kosovën që duam. Së bashku, do të punojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës të rikthehet aty ku e ka vendin, si forca kryesore politike e vendit”, ka shkruar ai.
Ky është postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Me përfundimin e numërimit të votave të rregullta dhe ndërsa mbetet ende në proces numërimi i votave me kusht dhe atyre nga mërgata, dëshiroj t’ju drejtohem me një falënderim të sinqertë. Çdo votë e juaja për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për mua personalisht, gjithsej 8,488 vota, është një vlerësim i madh dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme.
Si dikush që nuk ka qenë aktiv në politikë dhe nuk mban aktualisht një pozicion udhëheqës, mbështetja juaj më bën thellësisht mirënjohës. Ky besim i dhënë nga ju është një nder i madh, edhe pse rezultati nuk mjafton për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, ai përfaqëson një motiv të fuqishëm për të vazhduar angazhimin dhe përpjekjet tona për një Kosovë më të zhvilluar, më të përparuar dhe më të fuqishme në arenën ndërkombëtare.
Faleminderit secilit prej jush nga zemra për votën dhe besimin tuaj!
Mbështetja juaj është forca, shpresa dhe motivi im për të vazhduar rrugën që kemi nisur, për Kosovën që duam. Së bashku, do të punojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës të rikthehet aty ku e ka vendin, si forca kryesore politike e vendit.
Me mirënjohje të thellë,
Ardian Olluri