
“Fitues të qartë”- Kurti flet për rezultatin zgjedhor, thotë se qytetarët presin nga ai të formojë qeverinë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka vlerësuar subjektin politik të tij, Lëvizjes Vetëvendosje, si “fitues të qartë” të këtyre zgjedhjeve.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën ka rikujtuar se deri në javën tjetër pritet që rezultatet përfundimtare për subjektet politike të jenë gati deri në javën tjetër, shkruan Insajderi.
“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhejt e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës, sipas njoftimeve të KQZ-së. Më së largu, deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të mbushin obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë”, ka thënë ai.
“Të gjithë presin nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve, për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve, për çka falënderoj secilën dhe secilin. Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë, e cila për herë të parë përveç votimit me postë pati mundësinë të votojë edhe në ambasadat dhe konsullatat tona”, ka shtuar Kurti. /Insajderi.org/