
A do t’i lejohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait? – flasin nga Specialja

Në orët e vona të së dielës, ka ndërruar jetë Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Për momentin, nuk është e qartë se kur do të mbahet ceremonia mortore për 87-vjeçarin. Po ashtu, është ende në paqartësi nëse autoritetet e Hages do të lejojnë ish-presidentin Thaçi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.
Për këtë çështje, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Gjykatën Speciale.
Zëdhënësi i ZPS-së, Michael Doyle, ka thënë se personat e paraburgosur mund të bëjnë kërkesë për leje për arsye humanitare.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse Thaçi do të lejohet të marrë pjesë në varrim.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla,” thuhet në përgjigjen e Doyle.
Ai gjithashtu ka potencuar se të gjitha dokumentet publike, përfshirë kërkesat dhe vendimet gjyqësore, do të publikohen në faqen zyrtare të KSK-së, dhe se çdo informacion i mëtejshëm në lidhje me këtë çështje do të bëhet i ditur në momentin e disponueshmërisë.