Edhe një barnatore në Ferizaj cak i grabitjes, hajni i maskuar dhe me thikë vjedh 100 euro nga punëtorja
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Me grabitje u përballën ditët e fundit disa barnatore në qytetin e Ferizajt. E fundit nga to, është barnatorja ‘Vitamina’ në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmë, kur një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës ka hyrë brenda lokalit dhe ka terrorizuar punëtoren, duke ia drejtuar mjetin e mprehtë.
Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari ka arritur që të marrë rreth 100 euro para të gatshme dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.
Me të marrë informacionet, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me drejtorin e barnatores ‘Vitamina’, Blerton Jakupi, i cili tha se sipas informacioneve, dyshohet se bëhet fjalë për personin e njëjtë që ka kryer grabitje në dy barnatoret tjera.
“Ka ndodh dje. Sipas Policisë, dyshohet se është i njëjti person që u kanë në dy barnatore tjera. Sipas tyne po dyshohet që është i njëjti, janë në kërkim të tyne edhe nuk është që kemi diçka informata rreth atij rasti. Në barnatoren tonë nuk ka kamera të sigurisë, vetëm përreth, po nuk janë kanë funksionale”, tha Jakupi.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit dhe i njëjti të vihet në pranga.
Kujtojmë që nga hajnat e pësuan pak ditë më parë edhe barnatoret ‘Trimi Pharm’ dhe ‘Perla’.