
Doktori i shkencave të Artit Figurativ, Ali Sinani i bashkohet Lëvizjes BESA
Artist i nivelit të lartë i Arteve Figurative, Ali Sinani, nga Dobërdolli i komunës së Vrapçishtit, nga sot i është bashkuar Lëvizjes BESA.
Ali Sinani ka një karrierë të bujshme profesionale si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Ka realizuar mbi 100 ekspozita personale dhe kolektive nëpër Europë në disa muze prestigjioze si Muzeu i LUVRIT – Paris, dhe së fundmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu ka qenë demonstrator në drejtimin e vizatimit dhe pikturës në më shumë shkolla dhe kurse private kryesisht në Horne dhe St. Gallen në Zvicër. Nga viti 2018 deri në vitin 2024 ka qenë edhe drejtor i Pallatit të Kulturës “SHOTA” në Negotinë.
Aliu është anëtar i shumë shoqatave të Artistëve Figurativ në Zvicër dhe Austri. Ndërsa gjatë karrierës së tij, ka marrë dhjetëra mirënjohje dhe shpërblime për punën e realizuar.
Aderimin e tij në Lëvizjen BESA e ka preanzuar kryetari i BESËS, Bilall Kasami.
“Si pjesë e familjes së Lëvizjes BESA, Ali Sinani do të shpreh vizionin e tij në zhvillimin e Artit Figurativ në vendin tonë, do të angazhohet në krijimin e politikave sa më cilësore për artistët e rinj. Si artist, kurator dhe menaxher kulturor me përvojë ndërkombëtare, ai do të jetë urë mes traditës dhe inovacionit, mes artistëve vendas dhe skenës globale. Mirë se erdhe në Lëvizjen BESA, në Kalanë e shpresës dhe dinjitetit!”, ka shkruar Kasami.