
Komuna e Zhelinës në top 10 institucionet me integritet dhe pa korrupsion
Komuna e Zhelinës është renditur ndër dhjetë institucionet më të mira në vend për integritet dhe transparencë, sipas një hulumtimi të fundit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Blerim Sejdiu, i cili theksoi se ky vlerësim është rezultat i punës dhe angazhimit për qeverisje të ndershme dhe të përgjegjshme.
“Puna dhe mundi sjellin gjithmonë rezultate. Ne vazhdojmë të punojmë në interes të qytetarëve të Komunës së Zhelinës, ligjërisht, me përgjegjësi dhe transparencë,” shkroi Sejdiu në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, integriteti është një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë dhe nënkupton ligjshmëri, pavarësi, paanshmëri, etikë dhe profesionalizëm në kryerjen e funksioneve publike. Kjo, sipas kryetarit, ndihmon në largimin e rreziqeve të korrupsionit dhe forcon besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Ky vlerësim nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është një tjetër tregues i përpjekjeve të komunës për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie në qeverisjen lokale.