Ekskluzive: Këta janë të dyshuarit për shitje të drogës në Prizren, Gjykata i dërgon në paraburgim
Dy të dyshuarit që përfunduan në prangat e Policisë së Kosovës gjatë një aksioni më 19 janar në Prizren, nën dyshimet për shitblerje të substancave narkotike, kanë dalë të dielën para gjyqtarit të procedurës paraprake. Ndaj tyre, është bërë kërkesa për caktimin e masës së sigurisë dhe Gjykata tashmë ka marrë një vendim, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se personat e arrestuar janë Enis Pula 29-vjeçar dhe Qerim Binaj 62-vjeçar, të cilët u kapën me marihuanë, kokainë, hashash, por edhe me armë.
Ndaj tyre, Prokuroria ka kërkuar paraburgimin, masë kjo që është aprovuar nga Gjykata Themelore në Prizren, në kohëzgjatje prej një muaji.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj, i cili njoftoi se dy të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
“… për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje me datën 19.01.2024, rreth orës 15:50 minuta, në Prizren, pa autorizim, ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, substanca psikotrope apo substanca analoge, në atë mënyrë që zyrtarët policor gjatë kontrollit rutinor, ndalojnë E.P., ku gjatë kontrollit të veturës në bagazh janë gjetur 12 doza lëndë narkotike të llojit marihua automjetin e markës …….. me targat e regjistrimit ……., të cilën e drejtonte i pandehuri Q.:B, e në të cilën automjet ishte edhe i pandehuri E.P., dhe gjatë kontrollimit në bagazhin e automjetit është gjetur një valigje në të cilën kanë qenë Dymbëdhjetë (12) doza narkotike të llojit marihuan me peshë prej 9.46 gram, 8 doza lëndë narkotike të llojit kokain me peshë prej 7.66 gram, 1 qese plastike mbushur me lëndë narkotike të llojit hashash në formë të ngurt me peshë prej 26.19 gram, të cilën substancë narkotike, i kishin përgatitur për shitje, e të cilat nga ana e policisë sekuestrohen përkohësisht”, – thuhet në përgjigje.
Ndërsa i dyshuari Binaj po hetohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur armë, municion e shufra të ndryshme.
“Kurse i pandehuri Q.B., me datë 19.01.2024 rreth orës 17:45 minuta, gjatë kontrollimit tek shtëpia e të pandehurit Q.B., haset në posedim të një (1) pushke gjysmë automatikë me mbishkrimin “ Kral Arms Magnum”, me numër serik 12-K 18996, një (1) palë dylbi e pushkës ngjyrë të zezë (tasko), Njëqindë e tetëmbëdhjetë (118) fishek kalibër i pa njohur, Njëzet e dy (22) fishek kalibër i panjohur, Një (1) pistolet me karikator llojit Pietro Beretta 7.65 me numër serik 63778, Dy (2) shufra të zeza me hapje, Një (1) sprej mbishkrim ABUS me numër serik SDS80, Katërmbëdhjetë (14) fishek kalibër i panjohur, Një (1) karikator i pistoletës, Njëmbëdhjetë (11) fishek se pushkës së gjuetisë kalibër i panjohur, Njëqind e tetëdhjetë e një (181) fishek të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, Një (1) pistoletë me karikator llojit dhe model i panjohur, pa numër serik, të cilat i pandehurit i mbanë në pronësi kontroll ose posedim në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm me armët”.