
Azizi reagon ndaj propagandës nga oponentët: VLEN po konsolidohet, shpifjet nuk na ndalin
Sekretari i Lëvizjes BESA dhe një nga zërat kryesorë të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj fushatës mediatike që sipas tij po drejtohet nga eksponentë të BDI-së, të cilët i cilëson si “të arratisur politikisht dhe të pashpresë për të ardhmen e tyre”, përcjell ZYRTARE.net
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Azizi ka akuzuar disa portale dhe faqe të rrjeteve sociale të cilat, sipas tij, po shpërndajnë dezinformata nën emrin e VLEN-it dhe BESËS, duke tentuar të krijojnë konfuzion në opinionin publik.
“Të arratisurit e BDI-së, të mbetur pa shpresë për të ardhmen e tyre politike, përpiqen që përmes disa portaleve individuale dhe fanpage-ve që i hapin në emër të VLEN, të bëjnë propagandë duke shpifur për VLEN-in,” ka shkruar Azizi.
Ai thekson se çdo vendim i organeve të VLEN-it do të publikohet vetëm përmes komunikatave zyrtare, duke i cilësuar si “shpifje dhe mashtrime” çdo lajm që vjen nga burime të afërta me BDI-në apo nga profile të rreme që përdorin logon e VLEN-it apo BESËS.
Azizi u shpreh se tentativa e kundërshtarëve për të ruajtur simpatizantët është “amatoreske dhe e dështuar”, duke shtuar se koalicioni VLEN po ecën me hapa të sigurt drejt konsolidimit dhe ndryshimit politik.
“Ju vazhdoni merruni me propagandë, ne vazhdojmë ndryshimin edhe shumë më fuqishëm,” përfundon reagimin e tij Adnan Azizi./ ZYRTARE.net