
Ky është polici që u përfshi në rrahje në Prizren – dyshohet se bashkë me vëllain sulmuan një qytetar
Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e policit që u përfshi në një incident fizik sot në Prizren, ku siç raportuam më herët, në rrahje janë përfshirë dy persona civilë dhe një zyrtar policor jashtë detyrës.
Sipas burimeve të sigurta të Gazetë Sinjali, zyrtari policor i përfshirë është Fatijan Shehu, i cili dyshohet se bashkë me vëllain e tij kanë sulmuar fizikisht një qytetar, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Rasti ka ndodhur në një lokacion të frekuentuar të qytetit, ku Policia është parë duke ndërhyrë menjëherë për të ndalur përplasjen dhe për të vendosur kontrollin në situatë.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe Policia e Prizrenit, e cila ka treguar se rasti ka ndodhur sot rreth orës 15:00.
“Patrolla policore ka dale në vendin e ngjarjes në rrugen “5 Maji” në Prizren , aty ka takuar te dyshuarit e rastit E. B. nga njëra ane dhe nga ana tjetër vëllezërit B.Sh. dhe F. Sh ky i fundit zyrtar policor”.
“Të tre të dyshuarit pas një mosmarrëveshje kane sulmuar njeri-tjetrin. Lidhur me rastin janë njoftuar hetimet e stacionit, Prokurori i Shtetit si dhe Inspektorati Policor i Kosovës të cilët kanë ardhur në stacion dhe e kane trajtuar rastin”, tha Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit.
Sipas informacioneve nga Prokuroria, rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”, dhe ndodhet në trajtim nga organet kompetente, ndërkohë që priten veprime të mëtejme hetimore.