
LDK: Rënia në lirinë e medias, pasojë direkte e qeverisjes autoritare të VV-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rënies së ndjeshme të Kosovës në Indeksin e Lirisë së Medias të organizatës Reporterët pa Kufij, duke e cilësuar këtë regres si pasojë direkte të qeverisjes autoritare dhe të papërgjegjshme të pushtetit aktual.
Në një komunikatë për media, LDK shpreh shqetësimin e thellë për këtë përkeqësim, duke rikujtuar se Kosova është renditur në pozitën e 99-të nga 180 vende të vlerësuara – pozita më e ulët në 15 vitet e fundit dhe më e keqja në gjithë rajonin.
“Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura”, thuhet në komunikatë.
LDK gjithashtu thekson se gazetarët në Kosovë përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme fizike, ndërsa institucionet përgjegjëse shpeshherë dështojnë të ofrojnë mbrojtje adekuate dhe të ndjekin penalisht autorët e këtyre veprave.