Dy vajza tentojnë të vjedhin në marketin ‘Maxi në Prishtinë, i sulmojnë punëtorët që i kapën në flagrancë
Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i vjedhjeve e grabitjeve. Në shumicën e rasteve, të dyshuarit veprojnë si grup dhe arrijnë të kapin para të gatshme e gjësende të tjera. Jo rrallëherë ka ndodhur që edhe të miturit të përfshihen në të tilla raste dhe të futen në sherr, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në supermarketin ‘Maxi’ në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, ku dy vajza kishin shkuar për të kryer vjedhje.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për një 18-vjeçare dhe për një të mitur, të cilat janë kapur në flagrancë nga punëtorët e marketit, duke tentuar të vjedhin gjësende.
Sipas informacioneve të para, punëtorët kanë arritur t’i ndalin të dyshuarat, por të njëjtat më pas janë hedhur në sulm derisa ka intervenuar Policia.
Njësitë policore i kanë arrestuar vajzat e dyshuara dhe të njëjtat janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.
Sinjali ka kontaktuar edhe supermarketin ‘Maxi’, por të njëjtit kanë refuzuar që të deklarohen lidhur me rastin.