
Kasami: Shumica parlamentare do të zgjerohet
Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka deklaruar se janë në fazë të avancuar të negociatave me disa deputetë, si nga opozita shqiptare ashtu edhe nga komunitetet tjera që aktualisht janë pjesë e “Frontit Evropian”. Ai ka theksuar se shumica parlamentare që përkrah qeverinë pritet të zgjerohet shumë shpejt.
“Në momentin që hapet dera dhe dikush del, hapet mundësia që të hyjnë më shumë të tjerë, dhe për këtë arsye mund të garantoj se kjo qeveri do ta rrisë mbështetjen në Parlament”, tha Kasami në një intervistë për emisionin “360 shkallë” në MRT 1.
I pyetur nëse qeveria mund të mbijetojë politikisht nëse me largimin e Arben Taravarit do të mbesin vetëm nëntë nga gjithsej 30 deputetët shqiptarë në shumicë, Kasami u shpreh i bindur se shumë shpejt numri i deputetëve që do t’i bashkohen shumicës do të rritet, ndoshta edhe gjatë kësaj jave.
Sipas tij, këta deputetë do të vijnë nga të dyja kampet: si nga struktura e Arben Taravarit, ashtu edhe nga “Fronti Evropian”.
“Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë pjesë edhe e VLEN-it edhe e Qeverisë. Me sa deputetë, kjo do të kuptohet gjatë javës, pas deklaratës së Taravarit gjatë fundjavës se do të largohet nga Qeveria. Edhe kryeministri e tha qartë atë që ne e kemi thënë prej kohësh, bashkëpunimi me BDI-në dhe qëndrimi në qeveri nuk janë të mundshme”, theksoi Kasami.