
Po përgatiten urdhra që të dënuarit në rastin “Llaskarca” të shkojnë në burg
Pasi Gjykata e Apelit rriti dënimet për disa nga të pandehurit në tragjedinë që ndodhi në vitin 2019 në Llaskarcë, kur 16 pasagjerë vdiqën në një autobus të Durmo Tours, çështja është kthyer në Gjykatën Penale dhe po përgatiten aktet e referimit që të dënuarit të shkojnë në burg.
“Lënda është kthyer për përpunim të mëtejshëm në departamentin e sanksioneve, ku po përgatiten aktet udhëzuese për referim për vuajtje të dënimeve me burgim”,thonë nga Gjykata Penale.
Sipas procedurës, pasi të jetë dhënë një vendim i shkallës së dytë, çështja me dosjet, përfshirë vendimin e shkallës së dytë, i kthehet gjykatës së shkallës së parë, e cila është përgjegjëse për t’ua dorëzuar vendimet e shkallës së dytë palëve.
Pasi vendimi të bëhet i formës së prerë dhe i zbatueshëm, procedura vazhdon para gjyqtarit kompetent për ekzekutimin e sanksioneve në gjykatën e shkallës së parë, përkatësisht procedura për dërgimin e një personi për vuajtje të dënimit me burg me vendim të formës së prerë dhe të zbatueshëm rregullohet me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve, të cilën procedurë e zhvillon gjyqtari për ekzekutimin e sanksioneve në gjykatën e shkallës së parë.
Ndryshe nga vendimi i Gjykatës Penale, i cili e dënoi pronarin e “Durmo Tours” Durmish Belulin me dënime më të ulëta, ndërsa shoferi i autobusit Manoil Trifunovski mori dënimin më të lartë me burg, Gjykata e Apelit e dënoi pronarin me dhjetë vjet burg, ndërsa shoferit iu dha i njëjti dënim me burg.
Beluli dhe menaxheri i flotës së Durmo Tours, Remzi Miftari, u dënuan me nga dhjetë vjet burg secili, pasi Beluli ishte dënuar më parë me katër vjet burg dhe Miftari me gjashtë vjet burg.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, punonjësit e qendrës teknike Durmo Tours, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, u dënuan me shtatë vjet burg, pasi më parë ishin dënuar me nga pesë vjet burg secili. Të vetmet që mbeten të pandryshuara janë dënimet me burg për shoferin Manoil Trifunovski dhe Jane Bobarovski, të cilët morën dënime me burg prej 14 dhe pesë vjetësh, përkatësisht.
Kujtojmë që aksidenti ndodhi më 13 shkurt 2019 në autostradën Shkup – Tetovë në fshatin Llaskarcë, jetën e humbën 16 persona ndërsa 38 të tjerë u plagosën por shpëtuan. Autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.
Pas 150 seancash gjyqësore dhe pothuajse pesë vitesh në gjykatë, të afërmit kanë shprehur vazhdimisht dyshimin e tyre se çështja është zvarritur qëllimisht nga procedurat formale.