
Cana dhe Shabani, dy drejtorët e njohur braktisin kreun e ASH-së Arben Taravari
Dy figura kyçe dhe mjekë të njohur, Fadil Cana, drejtor i Klinikës Infektive dhe Bashkim Shabani, drejtor i Klinikës Universitare të Urologjisë – Shkup, kanë hequr dorë nga përkrahja e tyre ndaj kreut të ASH-së Arben Taravari.
Ky veprim i tyre vjen menjëherë pas vendimit të Taravarit për t’u ndarë nga koalicioni VLEN, një lëvizje që ka shkaktuar përçarje në ASH. Vendimi për t’u shkëputur nga VLEN dhe për të dalë nga qeveria është parë nga shumica e antëarëve të ASH-së si veprim i njëanshëm dhe nuk gëzon mbështetjen e plotë të strukturave të partisë.
Cana dhe Shabani, të cilët për një kohë të gjatë janë konsideruar si bashkëpunëtorë të ngushtë të Taravarit dhe emra me ndikim në radhët e Aleancës, janë parë sot në konferencën për shtyp që u organizua nga krahu i Arben Fetait që kundërshton vendimin e Taravarit.
Kundër Taravarit ka dalë edhe Tair Tairi, figurë kyçe e Aleancës për Shqiptarët nga Komuna e Tearcës i cili ka mbajtur disa pozicione kyçe në sferën e shëndetësisë.
Kjo përçarje e re e thellon krizën brenda Aleancës për Shqiptarët dhe ngre pikëpyetje serioze për legjitimitetin e udhëheqjes së Taravarit, si dhe për të ardhmen e subjektit në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.