
Murtezani në seancën e Këshillit kombëtar
Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot në seancën e Këshillit kombëtar për eurointegrime tha se Agjenda e reformave për periudhën 2024 – 2027, e cila rrjedh nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nuk është më një dokument në letër, por një detyrim i përditshëm i institucioneve dhe një kornizë teknike për reforma specifike në disa sektorë. Murtezani theksoi se ne nuk jemi më një vend që vetëm planifikon integrimin evropian, por e zbaton atë.
“Sot po flasim nga një pozicion rezultatesh konkrete. Ne flasim nga një pozicion përvoje, vendosmërie dhe pune të strukturuar që transformon realitetin. Maqedonia e Veriut nuk është më një vend që thjesht po planifikon integrimin evropian, ne tashmë po e zbatojmë atë. Agjenda jonë e reformave për periudhën 2024 – 2027, e cila buron nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nuk është më një dokument në letër, por një detyrim i përditshëm i institucioneve, një udhërrëfyes i vizionit politik dhe një kornizë teknike e reformave konkrete që ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë sektori publik, komuniteti i biznesit, gjyqësori, arsimi dhe energjetika. Maqedonia e Veriut tashmë ka marrë njohje nga Bashkimi Evropian si vendi i parë në rajon që ka marrë parafinancim në përputhje me Planin e rritjes. Ky nuk është një gjest simbolik, por një njohje e drejtpërdrejtë se kjo Qeveri di të krijojë, prezantojë dhe zbatojë reforma që janë koherente, të besueshme dhe të matshme, theksoi Murtezani në seancën e Këshillit kombëtar për eurointegrime me temën “Statusi i realizimit të Agjendës reformuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (2024-2027), hapat dhe sfidat e ardhshme”.
Ministri theksoi se reformat janë tashmë në terren dhe se zbatimi i Agjendës së reformave në vitin 2024 është zhivlluar me vazhdimësi të ruajtur plotësisht pavarësisht tranzicionit politik. Ai vuri në dukje se të pesë hapat fillestarë të reformës të planifikuar deri në shkurt të këtij viti janë përfunduar, duke përfshirë Ligjin e ri për kontroll të brenshdëm financiar publik, aktet nënligjore nga Ligji për buxhetet, reformat në përzgjedhjen e organeve drejtuese të kompanive shtetërore dhe zgjidhjet kadrovike në gjyqësor.
“Si konfirmim i rolit tonë udhëheqës në rajon në këtë kontekst, ne kemi paraqitur tashmë një kërkesë për lirimin e 17,1 milionë eurove nga KE-ja. Këto masa janë vetëm një pjesë e Agjendës së reformës, e cila sjell një nxitje shtesë financiare prej 750 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut. Një pjesë e këtyre mjeteve janë për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme është e destinuar për projekte investimi dhe zhvillim socio-ekonomik, me një lidhje të qartë midis reformave dhe përmirësimit të standardeve të jetesës së qytetarëve”, kujtoi Murtezani.
Paralelisht, siç shtoi, puna është duke u zhvilluar tashmë në 16 hapa të rinj me afat deri në qershor 2025, me vlerë mbi 70 milionë euro, që mbulojnë katër fusha prioritare: energjetikë, transformim digjital, mjedisin e biznesit dhe sundimin e ligjit. Ai theksoi se në atë kontekst, një nga këto hapa, Ligji për Energjetikë, është miratuar tashmë nga Kuvendi.
“Në cilësinë e koordinatorit kombëtar për zbatimin e Agjendës së reformave, shfrytëzoj këtë rast për të bërë thirrje për mobilizim të përbashkët dhe intensifikim të përpjekjeve midis të gjithë palëve të interesuara të përfshira në proces, përfshirë edhe deri te ju deputetë të nderuar, me qëllim përmbushjen në kohë të angazhimeve të ndërmarra. Kjo vlen veçanërisht për pakon legjislative në fushën e transformimit digjital, e cila tashmë i është dorëzuar Komisionit Evropian, si dhe për ligjet që lidhen me reformat në sektorin gjyqësor, theksoi Murtezani, i cili tregoi se ajo që e bën këtë fazë të Agjendës së reformave thelbësore nuk është vetëm se po punohet shumë, por edhe se reformat janë hartuar të jenë të pakthyeshme në një farë mënyre.
Ministri kujtoi gjithashtu se Qeveria, në seancën e mbajtur të martën e kaluar, miratoi dy akte thelbësore që përcaktojnë arkitekturën institucionale për zbatimin e Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor 2024-2027. Kjo ka të bëjë me Vendimin për krijimin e strukturave për zbatimin e Planit të rritjes dhe Dekretin për mënyrën e zbatimit dhe kontrollit të Instrumentit për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor. Ky dekret, shpjegoi ai, krijon një mekanizëm koordinimi në dy nivele plotësuese: politik, për të cilin janë përgjegjës ministrat resor dhe operativ, i cili do të zbatohet nga zyrtarë të caktuar përmes aktiviteteve specifike dhe monitorimit të zbatimit.
“Në kontekstin e diskutimit të sotëm, i cili pasqyron Agjendën e reformave si një mundësi kombëtare, mendoj se duhet t’i adresojmë hapur edhe sfidat sistemike. Ato janë të vërteta dhe ne nuk i fshehim. Mangësitë në kapacitetin administrativ, planifikimi i fragmentuar dhe nevoja për monitorim dhe vlerësim më efektiv mbeten fusha për përmirësim. Por ajo që e dallon vërtet këtë fazë është ekzistenca e mbështetjes së qëndrueshme politike, institucioneve funksionale dhe dialogut konstruktiv me shoqërinë civile dhe komunitetin e ekspertëve, kushte që rrallë përkojnë dhe për këtë arsye besoj se përfaqësojnë kapital strategjik që po e shfrytëzojmë plotësisht”, theksoi Murtezani.
Ministri i Çështjeve Evropiane shtoi se Agjenda e reformave nuk është një instrument që po përgatitet për përdorim të jashtëm, por është një kornizë kombëtare për reforma strukturore, në përputhje me politikat evropiane, por që synon transformimin e brendshëm.
“Agjendë për administratë efektive, institucione transparente, arsim gjithëpërfshirës dhe një ekonomi të harmonizuar me tregun evropian. E ardhmja jonë evropiane nuk është një projeksion, është një realitet i vazhdueshëm, të cilin po e ndërtojmë me çdo akt të miratuar, çdo proces të zbatuar me sukses dhe çdo iniciativë partneriteti që e çon Maqedoninë e Veriut përpara, përfundoi ministri në fjalimin e tij.