
Kasami promovon rrugën “Murat Baftjari”, një tjetër premtim i mbajtur për Tetovën
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka ndarë sot me qytetarët një lajm të rëndësishëm për zhvillimin urban të qytetit: përurimin e rrugës “Murat Baftjari” në Çarshinë e Epërme.
“Për Tetovën dhe Tetovarët! Me shumë kënaqësi sot promovuam rrugën ‘Murat Baftjari’, në çarshi të epërme! Një rrugë që lehtëson qarkullimin rrugor dhe përmirëson dukshëm jetën e qytetarëve! Komuna si gjithmonë, në krye të detyrës! Shihemi në projektin e radhës!”, shkruan Kasami në postimin e tij në rrjete sociale.
Rruga e re jo vetëm që përmirëson infrastrukturën e qytetit dhe lehtëson lëvizjen në këtë zonë të frekuentuar të Tetovës, por gjithashtu mban emrin e Murat Baftjarit, si një mënyrë për të nderuar kontributin e tij në komunitet.
Ky projekt është pjesë e një sërë investimesh të planifikuara për të rritur cilësinë e jetës dhe për të modernizuar Tetovën, duke treguar angazhimin e Komunës për të qenë gjithmonë pranë qytetarëve dhe nevojave të tyre./ZYRTARE.net