
Rexhepi: Struga e Likova që drejtohen nga BDI-ja, me numër të lartë të ndërtimeve pa leje!
Drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Urbanizëm dhe Ndërtim, Zuhejr Rexhepi, duke shpalosur statistikat e objekteve pa leje, përmendi edhe komunën e Strugës, ku sipas tij, numri i objekteve pa leje ka shkuar mbi 7600, ndonëse është në mbrojte të UNESCO-s.
Rexhepi, nuk la pa përmendur edhe rastin e komunës së Likovës, ku sipas tij, gjithashtu ka shumë objekte pa leje.
“Unë përfaqësoj institucion shtetëror dhe në momentin që përfaqësoj institucionin shtetëror unë jam i barabartë me të gjithë qytetarët, pavarësisht cilës parti i takojnë. Por, nëse shihen sulmet e sinkronizuara që poshtë-lartë burojnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, mua më vjen keq por duhet t’i analizojmë komunat që i udhëheqin ata. Nëse do të bëjmë kësi analiza, do të shohim se Struga, qytet ku përveç ligjeve pozitive të këtij shteti, i kemi edhe ligjet e UNCSCO-s, edhe atje ka rritur numri mbi 7600 objekte pa leje. Likova, një komunë shumë e vogël. Likova prinë, është e 10-ta në listën e ndërtimeve pa leje ku evidenton 5103 objekte pa leje. Nuk është qëllimi t’i apostrofoj vetëm këto. E verteta e gjithë kësaj situate në nivel të shtetit, ndërtimet pa leje janë, edhepse ligji për legalizim e ka zbutur shumë këtë situatë, megjithatë, ende na paraqitet si problem që kërkon zgjidhje jo 2-3 muaj para zgjedhjeve për të bërë fushatë politike, por do zgjidhje reale”, tha Zuhejr Rexhepi, u.d Drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Urbanizëm dhe Ndërtim.