
Kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Mickoski: LSDM dhe BDI s’kanë kapacitet për realizim të reformave
Kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën për 34-vjetorin e Unionit të Forcave të Reja në VMRO-DPMNE tha se LSDM dhe BDI nuk kanë kapacitet për realizimin e reformave, përcjell TV21. Mikcoski nga Velesi tha se kërkesa e BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare është “paradë” para votuesve dhe mbështetësve.
“Tema e dytë për të cilën dua të flas, janë kushtimisht kërkesat nga BDI për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë me të vërtet nuk e di cili është qëllimi, nëse vërtet besojnë në këtë, apo është ndonjë estradë apo paradë para votuesve të tyre dhe mbështetësve të tyre. Por një gjë është e qartë, para zgjedhjeve premtuam se kjo qeveri nuk ka vend për këtë BDI, kështu siç është, për BDI që është e pareformuar, BDI që kishte mundësi 23 vjet të tregojë dhe vërtetojë se çfarë kapaciteti ka, këtë e përmbushëm, kjo disi po harrohet, se atë që e premtojmë, ne e realizojmë, për këtë dua të them se në zgjedhjet e ardhshme, këto lokalet por edhe parlamentaret e ardhshme, dy çështje themelore do të jenë të rëndësishme, e para, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe e dyta, realizimi i reformave. As LSDM, as BDI, as askush nga opozita nuk kanë kapacitet për luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe për realizim të reformave.”, tha mes tjerash Mickoski./tv21.tv