
Sabriu hap zyrtarisht Shkollën Verore për Inkluzion Social të të Rinjve
Sot, Sekretari Shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, z. Fatmir Sabriu, hapi zyrtarisht Shkollën Verore për Inkluzion Social tek të Rinjtë, një iniciativë e rëndësishme që shënon për herë të parë përfshirjen aktive të një institucioni shtetëror në mbështetjen gjithëpërfshirëse të rinisë.
Kjo shkollë verore po realizohet nën organizimin e Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, me mbështetjen e GIZ dhe Ambasadës Gjermane në Shkup. Ajo synon të promovojë përfshirjen sociale, barazinë dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në shoqëri, duke ofruar trajnime, punëtori dhe aktivitete ndërvepruese.
“Me këtë iniciativë po dëshmojmë me vepra: jemi për rininë dhe me rininë,” theksoi Sabriu gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një politike rinore më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të të gjithë të rinjve, pavarësisht prejardhjes së tyre sociale apo sfidave personale.