Aksident zinxhiror në magjistralen Prishtinë-Gjilan, gjashtë persona të lënduar
Çdo ditë shënohet numër i konsiderueshëm i aksidenteve rrugore në Kosovë. Një i tillë ka ndodhur edhe sot në magjistrale Prishtinë-Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.
Në këtë aksident janë përfshirë tri vetura dhe një kamion, teksa si pasojë kanë mbetur të lënduar gjashtë persona.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 08:00, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, respektivisht në fshatin Slivovë Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë tri vetura dhe një kamion. Për pasojë gjashtë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, përderisa janë shkaktuar dhe dëme materiale. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, tha ai.