
Maksuti: Ligji për Përfaqësim Adekuat është i pashpresë – pa garanci juridike
Profesori universitar dhe anëtari i grupit punues për përgatitjen e Ligjit për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë, Mersim Maksuti, ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur pakënaqësi të thellë lidhur me versionin final të Propozim Ligjit të propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ai ka paraqitur një sërë vërejtjesh themelore, të cilat nuk janë marrë parasysh gjatë procesit të hartimit, informon PressOnline.al
Maksuti thotë se Ligji i miratuar nuk përmban mekanizma të garantuar për zbatim efektiv, por varet kryekëput nga vullneti politik i një Trupi Koordinativ, i cili nuk ka kompetenca konkrete mbikëqyrjeje apo sanksionuese ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin.
“Ky Trup nuk udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, dhe nuk ka juridiksion të kontrollojë apo të kërkojë përgjegjësi politike ndaj institucioneve. Me këtë, përfaqësimi adekuat mbetet një çështje e mirëdashjes politike, jo një e drejtë e garantuar,” thekson Maksuti.
Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si ligji kushtëzon përfaqësimin me kritere si profesionalizmi apo kompetenca, që sipas tij mund të përdoren për të përjashtuar qytetarët e bashkësive më pak të përfaqësuara.
Sipas tij, në rast të konfliktit mes një të drejte kolektive dhe një individuale, “e drejta kolektive duhet të ketë përparësi”.
Ai shpreh shqetësim edhe për ndikimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në draftimin e ligjit, duke theksuar se kjo gjykatë nuk ka kompetencë të diktojë drejtimin e legjislacionit. Ai kujton se Gjykata vetëm ndalon deklarimin e detyrueshëm të përkatësisë etnike, por jo përcaktimin e kuotave për përfaqësim adekuat.
“Kemi hyrë në një rrezik ku Gjykata Kushtetuese sillet si legjislativ, duke kufizuar veprimtarinë e Kuvendit që ka të drejtë të parashikojë forma të reja për të zbatuar përfaqësimin e drejtë,” thotë ai, përcjell PressOnline.al
Ndër vërejtjet kryesore, Maksuti veçon edhe mungesën e sanksioneve ligjore ndaj zyrtarëve publikë që nuk e zbatojnë ligjin. Ai e cilëson këtë si një mangësi serioze që do të ndikojë në mosrealizimin e efektit juridik të ligjit në praktikë.
“Në mungesë të masave ndëshkuese dhe të përgjegjësisë politike, ligji nuk do të japë efekt juridik. Nuk jemi shtet me kulturë të lartë zbatimi të ligjeve – prandaj garancia ligjore është thelbësore,” përmbyll Maksuti.