
SHTATË MINISTRA DHE BUXHET 20 HERË MË PAK! | Nga Rebalanci sërish e pëson Teatri dhe Biblioteka e Tetovës
Me Rebalancin e buxhetit që tashmë ka kaluar në Qeveri, Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës jo vetëm që nuk do t’i shtohen, por do t’i reduktohet fondi i planifikuar për këtë vit. 15 milionë denarët e parashikuar për vitin 2025 do të bëhen 12 milionë, duke zhvendosur për të disatën herë afatin e përfundimit të objektit. Dorëzimi i objektit supozohej të ishte viti 2027, por punimet u zvarritën në vite.
Pavarësisht dinamikave të premtimeve e varësisht ministrave që uleshin në krye të dikasterit të kulturës për “përshpejtim, dinamika të reja, prioritete”, duke filluar nga ish-ministrja e Kulturës, Elisabeta Kançevska Milevska, Robert Allagjazovski, i pasuar nga dy ministra shqiptarë – Asaf Ademi (qershor 2018-qershor 2019) dhe Hysni Ismaili (qershor 2019-gusht 2020), periudhë kjo që nuk ndryshoi asgjë sa i takon ecurisë së realizimit së dy projekteve kapitale për kulturën shqiptare (Teatri dhe Biblioteka Tetovë dhe Teatri Shqiptar të Shkupit), shkruan gazeta Koha.
Dy ministret e tjera ishin Irena Stefoska (16 muaj) dhe Bisera Kostadinova Stojçevska (2 vjet), duke përfunduar tek Zoran Lutkov, ministri i shtatë që ende nuk ka një datë të re të përfundimit. Fondi i akorduar për këtë vit nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit devijoi me mbi 20 fish më pak nga shuma e parashikuar për vitin 2025, që duhej të ishte 300 milionë denarë. Deklaratat kontradiktore lidhur me këtë projekt që për më shumë se një dekadë vijon të figurojë në zërin “Projekte kapitale”, i bënë pak kohë më parë ministri Zoran Lutkov dhe vartësi i tij, zëvendësministri Sedat Sulejmani.
Sulejmani deklaroi se ndjen keqardhje që shuma e ndarë nga buxheti i Qeverisë për këtë vit është shumë e vogël, ndërsa nga ana tjetër – ministri Lutkov është i bindur se nuk janë akorduar pak, por shuma e duhur.
“Nuk janë akorduar pak mjete për këtë vit. Gjatë këtyre viteve janë aneksuar kaq shumë objekte në pjesën e investimeve kapitale dhe kemi pasur mosrealizim në vite të mjeteve të ndara për investimet kapitale. Për shembull vetëm vitin e kaluar kanë mbetur të parealizuara 220 milionë denarë…. Por ne e menduam kështu – do të prognozojmë një shumë mjetesh nëse kemi dinamikë të mirë të punës me rebalancin e buxhetit do të miratojmë edhe më shumë financa. Do të ndjekim punimet në terren dhe do të vendosim nëse do të shtojmë apo heqim mjete. Me këtë dinamikë nuk mund të përfundojë ndërtimi brenda këtij viti. Jo për fajin tonë, por të atyre që i imponuan këtë dinamikë”, deklaroi ministri në muajin prill.
Por nga Qendra e Kulturës në Tetovë, që menaxhon realizimin e projektit thonë se punimet nuk janë stopuar gjatë këtij viti dhe se presin që me rebalancin t’iu shtohen 60 milionë denarë.
“Situata deri tani është 11 645 533 denarë, plus fatura e mbikëqyrësit 156 mijë denarë. Me rebalansin e buxhetit në muajin korrik parashihen diku edhe 60 milionë denarë të tjerë. Punimet nuk janë ndërprerë në asnjë fazë, është punuar në vazhdimësi, me theks të veçantë në punimet elektrike”, thotë drejtoresha e Qendrës Njomza Imeri Ismaili.
Sa i takon rebalancit, të dorëzuar në Parlament për miratim, në total MKT pothuajse i ka dyfishuar shpenzimet, nga 246 milionë të parashikuara në këtë fillimit në 464 milionë denarë. Nga rebalanci kanë përfituar zëra si Kalaja e Shkupt që 2 milionët e parashikuara i ka bërë 10 milionë denarë, Universiteti Shën Klimenti në Pllaoshnik që nga 10 milionë ka kaluar në 46 milionë denarë, zëri – Shpenzime kapitale (objekte ndërtimi) nga 10 milionë janë kanë shkuar në mbi 41 milionë denarë. Po ashtu kategoria Financimi i aktiviteteve në kulturë është rritur, sidomos në zërat – Film (trefishim), Muze, Manifestime kulturore… e të tjera.