
Më 30 qershor fillon paraqitja e dytë për regjistrim në shkollat e mesme
Të gjithë gjysmëmaturantët që nuk u regjistruan në afatin e parë në qershor për vitin shkollor 2025/2026, do të kenë mundësinë e dytë përmes paraqitjes elektronike të dytë më 30 qershor (e hënë). Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), dokumentet e nevojshme duhet të dorëzohen në shkolla më 1 korrik, ndërsa ranglistat e të pranuarve do të shpallen më 2 korrik deri në orën 12:00.
Vendet e lira sipas gjuhëve mësimore:
– 10.758 vende për mësim në gjuhën maqedonase
– 4.781 vende në gjuhën shqipe
– 474 vende në gjuhën turke
– 21 vende në gjuhën serbe
Në total, janë 16.034 vende të lira, prej të cilave 3.727 janë për arsim gjimnazial dhe 12.307 për arsim profesional.
Testime pranimi në disa shkolla – Reagon ministrja Janevska
Në paraqitjen e parë nga 14 deri më 17 qershor, 13.712 nxënës nga 16.601 të paraqitur u regjistruan. Shumica e tyre – 9.469 nxënës – zgjodhën shkollat profesionale, ndërsa 4.243 u regjistruan në gjimnaze, duke treguar se arsimi profesional mbetet më i preferuar për nxënësit e rinj.
Disa shkolla zhvilluan testim të kualifikuar për shkak të interesimit të lartë nga nxënës me pikë të njëjta. Këto përfshijnë:
– SHMQSH “Dr. Pançe Karagjozov” – Shkup (në gjuhën shqipe)
– SHMK “Gostivari” – Gostivar
– Gjimnazi “Georgi Dimitrov” – Shkup
Pas reagimeve të prindërve se bëhej fjalë për “provime të jashtëzakonshme”, ministrja Vesna Janevska sqaroi se testimi është i paraparë në konkurs dhe ligjërisht i lejuar në rast të pikëve të barabarta, duke shtuar:
“Problemi në vendin tonë është sistemi i vlerësimit – shumë fëmijë dalin me të gjitha pesëshe, për shkak të presioneve ndaj mësimdhënësve. Kjo çon drejt jo-cilësisë.”
Janevska theksoi se në ligjin e ri për arsim të mesëm, këshilli i mësimdhënësve nuk do të ketë më të drejtë të përmirësojë nota jashtë standardeve të qarta.
Afati i gushtit – shansi i fundit për regjistrim
Për ata që nuk arrijnë të regjistrohen në afatin e dytë, afati i gushtit do të mbahet më 21 gusht. Po atë ditë duhet të dorëzohet edhe dokumentacioni në shkolla. Ranglistat përfundimtare për gushtin do të shpallen më 22 gusht.