
Bimë kanabisi në rrugën Tetovë-Trebosh, policia fillon hetimet
Më 27 qershor 2025, rreth orës 11:00, zyrtarë policorë nga Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë kanë ndërmarrë veprim pas një denoncimi për praninë e bimëve të dyshuara narkotike në një parcelë në afërsi të rrugës lokale Tetovë–Trebosh.
Sipas informacioneve zyrtare, në një arë me sipërfaqe rreth 500 metra katrorë, ishin vërejtur bimë që ngjajnë me llojin “kanabis”. Menjëherë është kryer inspektim nga ekipi hetimor i SPB Tetovë, ndërsa në vendngjarje ka qenë i pranishëm edhe një agronom nga Ministria e Bujqësisë.
Pas verifikimeve, agronomi ka konstatuar se bimët ishin të vetëmbira, pra nuk bëhej fjalë për kultivim të qëllimshëm. Me udhëzim të Prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore në Tetovë, bimët janë shkatërruar në vend, njoftojnë nga policia.
Rasti po trajtohet si pjesë e kontrolleve të rregullta për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike në zonat rurale të rajonit të Tetovës.
SPB Tetovë apelon qytetarët që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë që lidhet me prodhimin ose shpërndarjen e lëndëve narkotike. Flaka Media