
Ligji për Përfaqësim të Drejtë – fillon mobilizimi i institucioneve
Qeveria VLEN ka filluar mobilizimin e institucioneve në përgatitje për zbatimin e Ligjit të ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, pasi e miratuan ligjin në qeveri javën e kaluar.
Zv/kryeministri Arben Fetai e takoi dje zv/drejtorit e Agjencisë së Administratës, Muhamed Krasniqi, për t’u njoftuar me kapacitetet e Agjencisë e cila duhet ta zbatojë ligjin në praktikë.
“Ne po vijojmë me përkushtim të plotë t’i përgatisim institucionet për realitetin e ri sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në administratë. Duke filluar me këtë takim dhe çdo ditë, çdo moment, në çdo institucion ne do të përcjellim mbarëvajtjen e procesit”, publikoi Fetai pas takimit.
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili e zëvendëson mekanizmin e Balancuesit, shpesh i keqpërdorur e joefikas, synon ta korrigjojë padrejtësinë e dy dekadave ndaj përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, përkundër garantimit të këtij parimi me Marrëveshjen e Ohrit.