
Parlamenti Evropian alarmon për “Botën Serbe” – Disa këtu sulmojnë ambasadorin shqiptar
Shkup, 4 Korrik 2025 – Ndërkohë që draft-rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian ngre alarmin për rrezikun real që sjell projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe” për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, disa qarqe politike dhe mediatike zgjedhin të shpërqendrojnë vëmendjen, duke sulmuar ambasadorin shqiptar, Denion Meidani.
Sipas Blerant Ramadani, ambasadori Meidani nuk qëndroi pas zyrave, por zgjodhi të jetë pranë qytetarëve, në Çarshi, mes njerëzve, duke u bërë simbol i komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë.
“Është e qartë: dikujt i pengon e vërteta,” shkruan Ramadani, duke theksuar se kjo logjikë sulmesh vjen nga ata që tronditen kur përballen me realitetin e raporteve ndërkombëtare dhe ndikimeve destabilizuese të ideve hegjemoniste në rajon.
Në vend që vëmendja të përqendrohet tek pasojat e “Botës Serbe” – të dukshme në retorikën politike, në diskriminimet ndaj komuniteteve dhe në goditjen ndaj frymës evropiane – sulmi kanalizohet tek një ambasador që përfaqëson me dinjitet shtetin e tij dhe një frymë të re bashkëpunimi ballkanik.
“Ne i bëhemi krah ambasadorit Meidani dhe çdo zëri tjetër që përfaqëson të vërtetën, drejtësinë dhe interesin real të shqiptarëve dhe të gjithë popujve të Ballkanit,” përfundon Ramadani.
Raporti i Parlamentit Evropian është një sinjal i qartë për institucionet dhe shoqërinë: heshtja nuk është më opsion përballë projekteve të rrezikshme që i kthejnë rajonet multietnike në skenë të ideve të vjetra hegjemoniste.