
“BDI i la shqiptarët 15 vjet në vendnumëro” – Hoxha: 20 shqiptarë do të punësohen së shpejti në Ministrinë e Bujqësisë
Pas publikimit të informacioneve se në Ministrinë e Bujqësisë janë avancuar 10 punonjës maqedonas dhe asnjë shqiptar, ka reaguar zëvendësministri Albrim Hoxha, duke dhënë sqarime dhe paralajmëruar masa konkrete për përmirësimin e situatës.
“Nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të brendshme të stafit ekzistues,” thekson Hoxha, duke sqaruar se procedurat për avancimet janë nisur shumë kohë më parë, para se ai të merrte detyrën. “Jam në këtë pozitë vetëm tre javë. Këto janë vendime që janë ndërmarrë kur përgjegjës për sektorin ishte dikush tjetër,” u shpreh ai.
Zëvendësministri i emëruar nga VLEN kritikoi ashpër qasjen e drejtuesve të mëparshëm shqiptarë në ministri, të cilët, sipas tij, nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të përmirësuar pozitat e shqiptarëve në administratë.
“Ka qenë detyrë e ish-zëvendësministrit, që për gati një vit kishte përgjegjësinë për këtë dikaster, që të analizonte strukturën e stafit dhe të niste procedurat e avancimit për të punësuarit shqiptarë. Nuk e ka bërë. As që është shqetësuar. Është mjaftuar vetëm me emërimin e një shoferi personal,” deklaroi Hoxha.
Ai tha se shqiptarët në ministri punojnë prej 10 deri në 15 vite me titullin më të ulët administrativ “pomlad sorabotnik”, dhe kjo gjendje, sipas tij, është trashëguar nga qeverisja e BDI-së.
“Së shpejti, në Ministrinë e Bujqësisë do të fillojnë punë 20 shqiptarë të rinj, përmes procedurave të rregullta dhe të merituara.” Ai shtoi se janë identifikuar problemet sistematike të neglizhencës ndaj administratorëve shqiptarë dhe se shumë shpejt do të nisin procedurat për avancimin e tyre ligjor dhe të merituar.
“Spinat e frontmenëve nuk na dekurajojnë. Përkundrazi, na motivojnë,” përfundoi Hoxha.