AA
Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e sotëm në një vendgrumbullim të mbetjeve metalike në Vizbegovo të Shkupit, është lënduar një zjarrfikës gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se po heton rastin.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, nga vendi i zjarrit është ngritur një re e madhe tymi i zi.
“Gjatë ndërhyrjes, një zjarrfikës nga Brigada e Mbrojtjes nga Zjarri ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor,” thuhet në njoftimin e policisë.
Zjarri ka përfshirë automjete të amortizuara, disa prej të cilave ishin të pajisura me bombola gazi, nga të cilat dëgjohen shpërthime në terren. Sipas MPB-së, alarmi për zjarrin është dhënë në orën 09:16 dhe ka përfshirë një objekt në rrugën “B. Buna” në Shkup, ku digjeshin automjete të amortizuara me pajisje gazi.
Deri më tani, zjarri nuk ka prekur shtëpitë që ndodhen në afërsi të lokacionit.
Vendgrumbullimi i mbetjeve metalike është në pronësi të kompanisë “ASD Metal Group”.
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka njoftuar se për shuarjen e zjarrit është angazhuar një avion “Air Tractor” nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe afërsisë me zonat e banuara.
Kryetari i Komunës së Shutkës, Kurto Dudush, në një deklaratë për “360 Gradë” sqaroi se nuk bëhet fjalë për një deponi publike, por për mbeturina të një kompanie private.
Sipas Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit, në terren po ndërhyjnë 12 zjarrfikës me katër automjete, ndërsa ndihmë po ofrohet edhe nga cisternat me ujë të ndërmarrjeve publike.
Ministria e Punëve të Brendshme informon se është vënë në funksion aplikacioni ueb me ndërfaqe për pajisjet mobile “Qyteti i
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov deklaroi se uji i pijshëm në Gostivar është i pastër dhe
„Politika bazohet në biseda. Unë jam nga ata politikanë që duan të bisedojnë derisa të arrihet zgjidhja. Edhe në rastin