
Arrestuar një nga vrasësit e pjesëtarit të ARM-së në Batincë
AA
Një person është arrestuar dhe ndaj dy të dyshuarve është hapur hetim nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, lidhur me vrasjen e një pjesëtari të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut (ARM), që ndodhi më 11 korrik në fshatin Batincë, përcjell INA.
Sipas autoriteteve, viktima, Agim Muaremi, është qëlluar me armë zjarri nga disa persona të armatosur, të cilët paraprakisht i kishin zënë rrugën veturës së tij në të cilën ndodhej edhe vajza e tij. Prokuroria thotë se dy të dyshuarit kishin vepruar së bashku dhe me marrëveshje të mëparshme.
Hetimet tregojnë se autorët ishin në një automjet “Opel Astra”, ndërsa viktima ndodhej në një veturë “KIA Sorento”. Njëri nga sulmuesit hapi zjarr dhe qëlloi pesë herë, duke lënë të vdekur Muaremin dhe duke kërcënuar me vdekje të gjithë familjen e tij.
Muaremi u përpoq të mbrojë vajzën e tij, duke dalë nga automjeti dhe duke u përballur me sulmuesit, të cilët menjëherë u larguan nga vendngjarja. Ai u dërgua në spital nga familjarët, por nuk i mbijetoi plagëve të marra.
Prokuroria njoftoi se shoferi i automjetit të sulmuesve është arrestuar dhe është paraqitur para gjykatësit të procedurës paraprake, me kërkesë për caktim mase paraburgimi. Ndërkohë, vijon kërkimi për personin kryesor të dyshuar dhe identifikimi i dy bashkëpunëtorëve të tjerë ende të paidentifikuar.(INA)