
Ish-zyrtari i LDK: Veriu ishte nën Serbi me lejen e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së – Kurti e riktheu ushtrinë!
AA
Ish-deputeti dhe veprimtari politik, Adem Salihaj, ka vlerësuar si një zhvillim historik dhe shumë të rëndësishëm vendosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në pjesën veriore të vendit. Në një reagim të fortë publik, Salihaj ka rikujtuar marrëveshjet e së kaluarës të cilat, sipas tij, kishin kufizuar sovranitetin e Kosovës në atë pjesë të territorit.
Salihaj përmend edhe deklaratën e ish-ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili me tone fyese kishte thënë se “çizmja shqiptare nuk do të shkelë kurrë matanë urës në veri”. Por sipas tij, kjo është hedhur poshtë nga realiteti i tanishëm.
“Qeveria Kurti është e vetmja që nuk ka lejuar qeverisjen e Serbisë në veri. Për dallim nga qeveritë e kaluara – PDK, LDK dhe AAK – të cilat praktikisht e kishin dorëzuar veriun, kjo qeveri ka rikthyer rendin dhe ligjin në atë zonë,” thekson Salihaj.
Postimi i plotë:
Shkuarja e ushtrisë së Kosovës në pjesën veriore është ndër lajmet shumë të mira. Dikur, Hashim Thaçi, në koordinim me armikun e Kosovës, Vuçiqin, e pat nënshkruar një zotim se FSK-ja nuk do të shkelë në veri të Kosovës. Kush do ta bënte këtë, përveç një njeriu të shitur, i cili ia ndalon ushtrisë së shtetit të tij të shkel në një pjesë të territorit të shtetit. Ivica Daçiqi, pat deklaruar me pompozitet se ” shqiptarska çizma nikad neçe kroqiti preko mosta na severu” (“çizmja shqiptare kurrë nuk do të shkel matanë urës në veri”). Shprehjen shqiptare e përdori në kuptimin përbuzës dhe fyes si “shiptarska”. Qeveria Kurti është e vetmja qeveri që nuk lejoi qeverisjen serbe në veri të Kosovës, për dallim nga qeveritë PDK-LDK-AAK, të cilat de fakto ia kishin dhënë veriun Serbisë dhe ajo sundonte në atë pjesë pa asnjë pengesë. Pritej vetëm edhe dhënja formale me një nënshkrim të Hashimit, i cili lobonte gjithkah me paratë e Kosovës për ta arritur këtë qëllim. Vuçiqi dhe të gjithë zyrtarët serbë vinin dhe defilonin sa herë të donin e si të donin, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën. Në anën tjetër, Presidenti i Kosovës, kryeministri dhe zyrtarët tjerë nuk mund të shkelnin në atë pjesë, përveç me lejen dhe sipas skenarit të Vuçiqit, për ta rritur mundësinë e mashtrimit të popullit të Kosovës. Sot jemi dëshmitar të një rendi dhe ligji të plotë në veri. Dhe jo vetëm kaq. Sot shkeli edhe ushtria e Kosovës në veri. Kosovës po i kthehet shkallë-shkallë dinjiteti dhe sovraniteti. A do të mund të bëhej ky veprim pa koordinim me SHBA-të dhe vendet e BE-së? Sigurisht që jo. Bindja se gjërat janë ashtu siç duken në sipërfaqe, është bindje e njerëzve të paditur, që nuk dinë çka është politika.