
Tërmeti i fuqishëm pranë Rusisë shkakton paralajmërime për cunami, evakuime në SHBA dhe Japoni
AA
Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunami deri në katër metra të lartë, dëmtime në ndërtesa dhe duke nxitur paralajmërime dhe evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor, raportoi Reuters.
Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunami dhe urdhra për evakuime.
Tërmeti nënujor pranë bregdetit të Kamçatkës, në Rusi
Në Kamçatka, disa persona janë lënduar, ndërsa në një pjesë të madhe të bregdetit lindor të Japonisë – i cili ishte goditur rëndë në tërmetin dhe cunamin katastrofik të vitit 2011 – është urdhëruar evakuimi i popullatës.
“Tërmeti i sotëm ishte shumë serioz dhe më i fuqishmi në dhjetë vitet e fundit”, tha guvernatori i Kamçatkës në një postim në Telegram.
Sipas ministrit rajonal për emergjenca, Sergei Lebedev, pas tërmetit është regjistruar një cunami me lartësi nga 3 deri në 4 metra.
“Të gjithë duhet të largohen menjëherë nga bregdeti”, theksoi ai në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.
Sipas Degës Lokale të Institutit Gjeofizik të Akademisë së Shkencave të Rusisë, ky ishte tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1952 në atë zonë. Ata e cilësuan tërmetin si një “ngjarje unike” në deklaratën e publikuar në Telegram.
Epiqendra ndodhej pranë zonës që u godit nga një tjetër tërmet më 20 korrik.
Shkencëtarët deklaruan se situata është “nën kontroll”, por paralajmëruan për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një muaj dhe këshilluan qytetarët të shmangin zonat bregdetare për arsye sigurie.
Sipas Institutit Amerikan të Sizmologjisë, tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash, rreth 125 kilometra nga Petropavlovsk, qytet me rreth 165,000 banorë në bregdetin e gjirit Avaça.Japonia evakuon 1.9 milion banorë
Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për valë cunami deri në 3 metra përgjatë pjesës më të madhe të bregdetit. Televizioni publik NHK raportoi se mbi 1.9 milion persona janë urdhëruar të evakuohen në vende të sigurta pasi valët filluan të godasin bregun.
Megjithëse valët ishin më të vogla sesa parashikimet fillestare, ka pasur ndërprerje të trafikut në mbarë vendin.
Agjencia Japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Katastrofave konfirmoi se rreth 2 milionë banorë në 21 prefektura ishin nën urdhër evakuimi.
Punonjësit në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës u evakuuan gjithashtu të mërkurën, raportoi AFP.
Aktivizohet sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami
Sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami është aktivizuar për të paralajmëruar për valë që mund të godasin bregun perëndimor të SHBA-së.
Parashikimet tregojnë se valë deri në 3 metra mund të godasin bregdetin e Rusisë dhe Ekuadorit, ndërsa valë nga 1 deri në 3 metra mund të prekin Japoninë, Havain, Kilin dhe Ishujt Solomon.
Evakuime në Havai
Në Havai, është urdhëruar evakuimi i disa zonave bregdetare.
“Largohuni menjëherë, priten cuname shkatërruese”, u tha në një deklaratë të Zyrës për Emergjenca në Honolulu.
Guvernatori i Havait, Josh Green, kërkoi qetësi dhe sjellje të përgjegjshme nga qytetarët.
“Ju lutem, qëndroni të qetë. Nëse jeni në zona të ulëta, shkoni menjëherë në vende më të larta”, tha ai. Ai shtoi se rrugët janë të mbushura dhe u kërkoi qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të shmangin panikun, raportoi BBC.