
Faton Ahmeti: VREDI është vegël e pushtetit, braktisi shqiptarët për favore!
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Faton Ahmeti, ka reaguar ashpër përmes një statusi në Facebook, duke akuzuar drejtuesit e koalicionit VLEN se po i braktisin interesat shqiptare dhe po shërbejnë vetëm si vegla të pushtetit.
“Ata që sot bëjnë moral, janë po ata që shitën monopolin dhe çdo pronë publike që mund të shitej, që shitën interesat shqiptare për karrige dhe favore nga padronët e tyre në qeveri,” shkruan Ahmeti, përcjell PressOnline.al
Ai thekson se revizioni në Fondin për Sigurim Shëndetësor është pasojë e problemeve të trashëguara ndër vite, por ajo që po ndodh sot, sipas tij, është braktisje e hapur e pacientëve shqiptarë. “Të sëmurët tanë janë lënë rrugëve, ndërkohë që VLEN-i hesht si palë bashkëfajtore,” vijon më tej Ahmeti.
Ahmeti ka rikujtuar periudhën kur BDI menaxhonte Fondin, duke thënë se atëherë institucionet “frymonin shqip” dhe shërbenin me dinjitet për çdo qytetar. Ndërkohë sot, sipas tij, mungon zëri dhe zemra, dhe ka mbetur vetëm shërbimi ndaj padronëve.
Në fund, ai ka kërkuar “veting të thellë dhe të paanshëm për të gjithë – që të shkulen me rrënjë ata që e kthyen shtetin në plaçkë për përfitime personale.”