
Arrestime në Zdunjë – Valdet Xhaferi: Regjim policor mbi shqiptarët e Gostivarit
Banorët e fshatrave Zdunjë, Raven, Mirditë, Vërtok dhe Reçan janë vënë nën izolim nga një regjim policor i udhëhequr nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, denoncon kryetari i degës së BDI-së në Gostivar, Valdet Xhaferi.
“Prej disa ditësh me radhë, në kulmin e sezonit veror dhe në fluksin e mërgimtarëve, banorëve të kësaj ane të Gostivarit u është kufizuar liria e lëvizjes,” thekson Xhaferi. Sipas tij, ndalimi i kalimit në udhëkryqin e Zdunjës – që ndodhet në hyrje të qytetit – i ka detyruar banorët të përdorin rrugë alternative, duke përshkuar kilometra më tepër për të arritur në shtëpitë e tyre.
“Aq më keq, sot janë arrestuar disa banorë të fshatit Zdunjë vetëm pse kanë dashur të kthehen në shtëpi përmes rrugës kryesore,” shprehet i revoltuar Xhaferi.
Kryetari i degës së BDI-së në Gostivar e quan të papranueshme përparësinë që, sipas tij, po u jepet udhëtarëve drejt Ohrit, në kurriz të qytetarëve vendas:
“Pse duhet të jenë më të vlefshëm udhëtarët që shkojnë në Ohër, sesa banorët e fshatrave të Gostivarit?!”
Ai përfundon deklaratën me një paralajmërim politik:
“Shtetit policor, dhunës dhe regjimit po u vjen fundi së shpejti, në tetor!” Flaka
The post Arrestime në Zdunjë – Valdet Xhaferi: Regjim policor mbi shqiptarët e Gostivarit appeared first on Flaka, në çdo lajm… .