
Kurti, diasporës: Nuk flasim më për trurin që ikën, por për zemrën që nuk harron
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur mbrëmjen e së hënës mërgatën në Kosovë, duke thënë se tashmë nuk flitet më për “trurin e ikur”, por për “zemrën që nuk harron”.
Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, u ka uruar mirëseardhje diasporës, duke theksuar se Kosova është me fat që i ka.
“Ne kemi gjithmonë nevojë për bashkatdhetarët tanë, mërgatën tonë, si mysafirë që na vizitojnë për t’u çmallur, e si partnerë të zhvillimit dhe bashkëkrijues të së ardhmes tonë. Nuk flasim më për “trurin që ikën”, por për zemrën që nuk harron: sepse ata që kanë ndërtuar jetë jashtë vendit, ruajnë mallin, mbajnë lidhjet dhe bartin përgjegjësinë ndaj atdheut tonë të përbashkët. Secili mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut, por gjithsecili është përjetësisht brenda kombit”, ka shkruar Kurti.
Një organizim të ngjashëm për pritjen e diasporës e ka organizuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Pavarësisht se liberalizimi i vizave s’do të duhej të prodhonte të dhëna negative – ikja e njerëzve nga Kosova vazhdoi edhe gjatë vitit 2024.
Raporti i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), e kishte radhitur Kosovën si një ndër vendet e para që kanë kërkesën për azil, krahasuar edhe me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Arsyet e largimit nga Kosova mbesin të njëjta: Mungesa e punës, pagat e vogla atëherë kur ka punë, por edhe cilësia e dobët në arsim, shëndetësi e fusha të tjera dhe shto çmimet e larta dhe ekonomia që nuk zhvillohet.