
Gjykata e Hagës merr vendimin për Thaçin dhe të tjerët
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të vazhdojnë masën e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi, si dhe për Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu. Vendimi u mor dje, më 5 gusht, nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Sipas gjyqtares, paraburgimi mbetet i nevojshëm dhe proporcional, pasi nuk ka pushuar rreziku i pengimit të procedurave gjyqësore. Ajo theksoi se pavarësisht mbylljes së fazës së Prokurorisë në rastin e krimeve të luftës, dyshimet për kryerjen e veprave penale nga ana e Thaçit vazhdojnë.
Arsyetimi i gjykatës për vendimin
Në vendim, gjyqtarja Masselot shprehet se “Veprimet e Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të penguar procedurat e DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së”. Ajo përmend se kjo bëhet përmes ndikimit të tij “mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje”.
Avokatët mbrojtës të Thaçit, Sophie Menegon dhe Luka Mishetiç, nuk kanë paraqitur një përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit. Ky zhvillim shënon një tjetër moment të rëndësishëm në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.