
“Goditje” e madhe për Agim Aliun në Ferizaj, largohet nga PDK aktivistja më e zëshme Elsa Aliu
PDK në Ferizaj ka mbetur pa njërën ndër aktivistet më të zëshme dhe më punëtore në këtë qytet, pasi ajo ka dhënë dorëheqje nga kjo parti
Elsa Aliu është larguar nga Partia Demokratike e Kosovës në Ferizaj e udhëhequr nga Agim Aliu, i cili po synon edhe një mandat si kryetar i komunës, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Aktivistja Aliu përmes një shkrimi ka bërë të ditura arsyet e largimit nga strukturat që i udhëheq Agim Aliu, duke theksuar se u rrëzua nga brenda, nga ata që e panë si rrezik e jo si bashkëluftëtare, nga ata që ia mbyllën dyert.
“Por sot, ajo çfarë shoh nuk është më ajo për të cilën kam luftuar. Është një parti ku secili mundohet të jetë zot shtëpie në vete, ku vendimet nuk merren me drejtësi e meritë, por në prapaskena dhe interesa personale.” – shkruan ajo.
Ajo ka theksuar se po largohet nga PDK me familjen e saj që i kontrobuoi kësaj partie brez pas brezi, me rrethin e saj dhe ata që e kanë mbështetur.
Postimi i plotë i Elsa Aliut:
Unë, Partisë Demokratike të Kosovës, i kam dhënë gjithçka: rininë time, ëndrrat, kohën me familje dhe veten.
E kam dashtë me mish e me shpirt.
Kam ecë në baltë për me mbrojt dinjitetin e saj.
Kam hesht përballë padrejtësive, vetëm që të mos ia njollos emrin.
Babai im ka qenë në luftë.
Unë kam trashëgu idealin, jo për karrierë, por për nder.
PDK-në e kam përkrahur për atë që besoja se përfaqësonte:
Lirinë. Drejtësinë. Shtetndërtimin.
Por sot, ajo çfarë shoh nuk është më ajo për të cilën kam luftuar.
Është një parti ku secili mundohet të jetë zot shtëpie në vete,
ku vendimet nuk merren me drejtësi e meritë,
por në prapaskena dhe interesa personale.
Unë nuk u dorëzova prej kundërshtarëve politikë.
U rrëzova nga brenda.
Nga ata që më panë si rrezik, jo si bashkëluftëtare.
Nga ata që më mbyllën dyert jo pse s’kam punuar, por pse s’jam përkulur.
Por nuk po largohem vetëm.
Me mua po tërhiqet edhe familja ime, që i ka qëndruar besnike kësaj partie brez pas brezi.
Po tërhiqet edhe rrethi im, që ka kontribuar me zemër.
Po tërhiqen edhe ata që më mbështesin, jo për interesa, por për bindje.
Sepse nuk jemi rritur për të qenë stoli në fushata false,
as për numër në lista që nuk kanë më kuptim.
Unë nuk jam më pjesë e kësaj partie.
Jo pse ndryshova unë.
Por sepse ajo u deformua.
Rrugëtimi im politik nuk ndalet.
Unë vazhdoj, me ballë lart dhe me bindje të pastra.
Për njerëzit që më besuan. Për të vërtetën. Për Kosovën. See less