
Baton Haxhiu: VMRO po përdor “VLEN”-in për të goditur Ahmetin aty ku dhemb më shumë
Analisti politik Baton Haxhiu ka deklaruar se kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nuk po e luan lojën zgjedhore për të negociuar në balotazh, por synon të eliminojë Ali Ahmetin që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, shkruan Flaka
“Mickoski nuk po e luan këtë lojë për të negociuar në balotazh. Jo. Ai ka vendosur ta mbyllë hesapin me Ali Ahmetin që në raundin e parë. VMRO ka vendosur t’ua japë votat maqedonase kandidatëve shqiptarë të ‘Vlen’-it në komunat me shumicë shqiptare që në raundin e parë, për t’iu shmangur çdo pazari të mundshëm në balotazh,” tha Haxhiu.
Sipas tij, ky plan synon ta godasë BDI-në aty ku e dhemb më shumë.
“Nuk do të ketë marrëveshje të minutës së fundit. Mickoski do të dorëzojë direkt komunat që historikisht kanë qenë bastione të BDI-së te rivalët e saj politikë, jo për t’i fuqizuar ata, por për t’ia kërkuar çmimin Ali Ahmetit në humbjen në raundin e parë, pa nder, pa luftë dhe pa kthim,” u shpreh Haxhiu.
Ai e përshkroi këtë si një “lëndim të planifikuar” dhe paralajmëroi për pasojat e tij politike.
“Kur të numërohen votat e raundit të parë, nuk do të jenë thjesht fitore të Taravarit apo Mexhitit. Do të jenë akte varrimi të BDI-së në nivel lokal dhe paralajmërime për atë që e pret në zgjedhjet parlamentare të prillit,” theksoi ai.
Haxhiu e përmbylli me një mesazh politik për qëndrimin ndaj këtij procesi.
“Kur ftesa është për të qenë statujë në një shesh të ndërtuar nga urrejtja, refuzimi është dinjitet. Kur loja është farsë, bashkimi pa kuptim s’është moral. Kur kombi është bërë copë, fjala duhet të ruajë vlerën. Dhe kjo nuk është tërheqje. Është qëndrim,” deklaroi mes të tjerash Baton Haxhiu në një opinion të tij kushtuar Maqedonisë së Veriut. Flaka
The post Baton Haxhiu: VMRO po përdor “VLEN”-in për të goditur Ahmetin aty ku dhemb më shumë appeared first on Flaka, në çdo lajm… .