
Naim Saliu largohet nga LD-ja e Mexhitit: “Nuk mund të jem pjesë e kësaj faqeje të errët të historisë”
Anëtari i Këshillit Themelues dhe i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Demokratike, Naim Saliu, ka shpallur dorëheqjen nga partia e Izet Mexhitit, duke e cilësuar vendimin si një hap të menduar thellë dhe të diktuar nga ndërgjegjja politike.
“Nuk jam mësuar të shikoj në heshtje degradimin,” deklaroi Saliu, duke kujtuar se ishte bashkuar me Lëvizjen Demokratike me qëllimin për të avancuar pozitën e shqiptarëve në vend, sidomos në Shkup. Sipas tij, pas hyrjes në qeveri me VMRO-në, nuk po ndodh avancim, por “degradim i plotë” dhe “fshirje e arritjeve të shqiptarëve të fituara me mund e sakrifica gjatë 20 viteve.”
“Unë nuk mund të jem pjesë e kësaj faqeje të errët të historisë,” theksoi Saliu, duke njoftuar se bashkë me bashkëpunëtorët e tij do t’i bashkohet sërish Bashkimit Demokratik për Integrim. Ai tha se BDI mbetet “i vetmi opsion real” për të ndalur “përdhosjen e arritjeve tona” dhe për të avancuar më tej pozitat e shqiptarëve.
“Ne kemi obligim moral dhe politik të mbrojmë gjithçka për të cilën kemi luftuar e punuar. Dhe kjo nuk bëhet duke heshtur,” shtoi ai, duke e përmbyllur deklaratën si një vendim të ndershëm “ndaj vetes, bashkëpunëtorëve dhe kombit tim.” Flaka Media
The post Naim Saliu largohet nga LD-ja e Mexhitit: “Nuk mund të jem pjesë e kësaj faqeje të errët të historisë” appeared first on Flaka, në çdo lajm… .