
Dalin detajet tronditëse për masakrën me tre shqiptarët e vrarë, si ndodhi krimi dhe pse (EMRAT)
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për vrasjen e trefishtë që ka tronditur sot qytetin e Gjilanit. Bëhet fjalë për Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, të gjithë banues në Gjilan.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku pas një konflikti të armatosur mbetën të vrarë tre persona. Sipas autoriteteve, të dyshuarit janë ende në arrati dhe po fshihen nga policia, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të motivit të krimit.
Policia ka publikuar edhe fotot e të dyshuarve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në lokalizimin e tyre. “Bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe me qëllim të arrestimit të të dyshuarve, kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët dhe mediat. Nëse keni ndonjë informacion, lajmëroni Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt ose përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’, apo në numrat 192 dhe 03850807001. Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Forcat speciale kanë rrethuar disa zona të qytetit dhe po kryejnë kontrolle të imtësishme, ndërsa Prokuroria ndodhet në terren për të ndjekur nga afër hetimet.
Vrasja e trefishtë ka tronditur banorët e Gjilanit, të cilët e përshkruajnë ngjarjen si një nga më të rëndat e viteve të fundit në qytet. Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë praninë masive të policisë, autoambulancave dhe gjurmëve të gjakut në vendin e ngjarjes.
Autoritetet u bëjnë apel të gjithë qytetarëve që të mos ndërhyjnë vetë, por çdo informacion ta ndajnë me organet e rendit për të mundësuar arrestimin sa më shpejt të personave në kërkim.