
Çka po ndodh në Alternativën e Çairit? – Shkaktohen reagime pas shkarkimit të Hamza Ametit!
Hamza Ameti, kuadër i Alternativës nga Çairi dhe-drejtor i Punës dhe Politikës Sociale në Shkup, është shkarkuar nga detyra. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta brenda partisë dhe në opinionin publik, shkruan Flaka
Vetë Ameti ka reaguar me një mesazh të koduar në rrjetet sociale: “Biri im, mos i hyr në hak askujt. Rri ashtu si je, mos u bëj çfarë nuk je. Do të kërkosh të kthehesh siç ke qenë, por nuk do të mundesh. Përhajr na qoftë dasma e re. Vjen capi te kasapi. Shihemi pas tetorit.”
Reagime ka pasur edhe nga zyrtarë të tjerë të Alternativës. Faton Fazliu e ka mbrojtur ish-drejtorin duke thënë: “Njeriu është ai që i jep vlerë pozitës. Integriteti, profesionalizmi dhe kontributi i Hamzës nuk mund të fshihen me një vendim administrativ. Koha është gjykatësi më i drejtë, por nderi dhe e vërteta mbeten.”
Posti i drejtorit të Punës dhe Politikës Sociale është në kuotën e partisë Alternativa, por resori i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë drejtohet nga ministri Fatmir Limani i Lëvizjes Besa. Vendimi për shkarkimin shihet si rezultat i marrëdhënieve dhe balancave të reja brenda koalicionit.
Ky zhvillim po shihet si sinjal i tensioneve të brendshme në Alternativën e Çairit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit. Flaka Media