
BDI: Çairi zgjedh mes ndershmërisë së Osmanit dhe korrupsionit të Mexhitit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar sot lidhur me zgjedhjet në Komunën e Çairit, duke i cilësuar ato si “vendimin më të rëndësishëm në 20 vitet e fundit” për këtë komunë.
“Çairi është përballë vendimit historikisht më të rëndësishëm në 20 vitet e fundit. Këto nuk janë vetëm zgjedhje për kryetar komune, këto janë zgjedhje midis dy kahjeve krejtësisht të kundërta në të cilat po lëviz komuna,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë, qytetarët do të zgjedhin “ndërmjet kthimit mbrapa tek personi që ka shkatërruar komunën me krim dhe korrupsion” ose “vendosmërisë për të ecur përpara me një njeri me vizion, integritet dhe njohuri”.
BDI akuzon Izet Mexhitin se “për tre mandate e shndërroi Çairin në një zonë biznesi për rrjetin e tij, duke u bërë simbol i ndërtimeve të paligjshme, krimit dhe shantazhimeve” dhe se “në vend që të shpresojë në mbështetjen e qytetarëve të Çairit, hyn në garë i poshtëruar dhe i shantazhuar nga Mickoski dhe VMRO-DPMNE, duke shpresuar që përmes korrupsionit dhe ryshfetit të përbuzë serish votën e qytetarëve”.
Nga ana tjetër, BDI prezanton kandidatin e saj Bujar Osmani si “njeri nga Çairi, me 20 vjet shërbim publik të pa metë, lider që ndërton, bashkon dhe di të punojë për popullin”.
“Njeri vizionar dhe politikan i gjeneratës së re me rezultate të shkëlqyera. Qytetarët e Çairit meritojnë një komunë dhe administratë që do të punojnë për ta, jo për interesat personale. Ata meritojnë një lider që nuk do ta tradhtojë besimin e tyre,” përfundon reagimi.