
Në 26-vjetorin e Doganës së Kosovës, Mustafa Dauti dërgon mesazh për partneritet të qëndrueshëm
Në Prishtinë u shënua sot 26-vjetori i themelimit të Doganës së Kosovës, një ngjarje e rëndësishme për historinë dhe funksionimin e këtij institucioni kyç për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Me ftesë të drejtorit të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në ceremoninë solemne mori pjesë edhe zëvendësdrejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, së bashku me drejtorin Boban Nikollovski.
Aktiviteti u shoqërua me ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së re të kadetëve, të cilëve u uruan suksese në misionin e tyre për mbrojtjen e kufijve dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave.
“Përpjekjet tona të përbashkëta në mbrojtjen e shteteve, parandalimin e tregtisë ilegale dhe sigurimin e qarkullimit të pandërprerë të tregtisë legale përbëjnë themel për bashkëpunim të forcuar, të cilin do të vazhdojmë ta kultivojmë,” u shpreh Dauti në fjalën e tij.
Ky përvjetor jo vetëm që përkujton rrugëtimin e Doganës së Kosovës që nga themelimi, por gjithashtu forcon edhe më tej partneritetin strategjik mes institucioneve doganore të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Bashkëpunimi mes dy vendeve ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e ekonomisë dhe nxitjen e tregtisë së lirë rajonale.
Përmes shkëmbimit të përvojave, trajnimeve të përbashkëta dhe koordinimit të operacioneve, të dyja doganat synojnë të krijojnë një model bashkëpunimi që garanton siguri dhe zhvillim ekonomik për të dy vendet.