
Gashi: Marrëveshja e Ohrit, themel për paqe dhe bashkëjetesë me dinjitet
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe kryeministri Hristian Mickovski, kryetari i Alternativës dhe njëkohësisht një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, si dhe figura të tjera politike dhe shoqërore.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Gashi theksoi rëndësinë historike të Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si jetike jo vetëm për shqiptarët, por për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të barabartë dhe të integruar.
“Është koha për unitet politik dhe vizion të përbashkët që dispozitat e neglizhuara ndër vite të kësaj marrëveshjeje të përmbushen me seriozitet, dhe me përkushtim të shqyrtohet avancimi i saj”, u shpreh Gashi. Ai shtoi se kjo marrëveshje nuk është thjesht një dokument paqeje, por një udhërrëfyes për zhvillimin e bashkëjetesës me dinjitet dhe barazi në vend.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, e cilësoi Marrëveshjen si “një akt vizionar dhe një kontratë historike” ndërmjet të gjitha bashkësive etnike të vendit. Ai theksoi se gushti mban simbolikë të veçantë për shtetndërtimin modern, duke përfshirë edhe Ilindenin, dhe se këto data nuk duhet të mbeten vetëm në kalendar, por në ndërgjegjen kolektive.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument politik, por një udhërrëfyes për të ardhmen. Ajo na mëson se vetëm përmes bashkëpunimit, dialogut dhe besimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë institucione funksionale dhe një shtet që i shërben qytetarit,” deklaroi Mexhiti.
Ai nënvizoi se shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha bashkësitë e tjera nuk janë thjesht pjesë e një shteti, por bashkëthemelues të tij, dhe se kjo është një mundësi historike për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.
Duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, Mexhiti apeloi për maturi institucionale dhe unitet politik. “Qytetarët presin punë, jo zhurmë. Ata presin zgjidhje, jo justifikime,” tha ai, duke shtuar se angazhimi i tij mbetet për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më të bashkuar.
Në këtë ceremoni të mbajtur në Klubin e Deputetëve morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik dhe shoqërisë civile, të cilët kujtuan rolin kyç të Marrëveshjes së Ohrit në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në vend.
Përveç pritjes që u organizua sot, parashihet që nesër Qeveria të mbaj seancë solemne tematike. Ndërsa në mbrëmjë do të mbahet një Gala Koncert.