
Arrestohet shkupjani që rrezikoi sigurinë e helikopterit policor
Më 12.08.2025, rreth orës 18:55, policia e Stacionit të Karposhit arrestoi I.A. (55) nga Shkupi, i dyshuar për veprën penale “rrezikim i sigurisë së trafikut ajror” sipas nenit 303 të Kodit Penal.
Ngjarja ka ndodhur më 06.07.2025, rreth orës 18:00, kur një helikopter policor tip Bell 412 po afrohej në vendin ku lumi Lepenc derdhet në lumin Vardar, me qëllim mbushjen me ujë për shuarjen e një zjarri në zonën e Bllacës. Pasi ka hyrë në pjesën e cekët të lumit, i dyshuari ka bërë shenja me duar dhe, sipas dëshmitarëve, ka hedhur gurë drejt helikopterit, duke detyruar pilotët të ndryshojnë vendin e mbushjes për shkak të rrezikut të madh për sigurinë e tyre gjatë kryerjes së detyrës shtetërore.
Pas hetimeve, I.A. u lokalizua, u arrestua dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal. Flaka Media