
ASH: Raporti i DASH konfirmon alarmet tona për lirinë e medias
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024, duke thënë se ato “ekspozojnë kufizimet serioze të lirisë së shprehjes dhe medias në vendin tonë”.
“Raporti konstaton se, pavarësisht garancive kushtetuese, liria e shprehjes është minuar nga paditë kundër gazetarëve, presioni i tepërt mbi ata që hetojnë korrupsionin, sjellja e papërshtatshme e zyrtarëve publikë, dezinformimi dhe vetëcensura. Veçanërisht shqetësues janë të dhënat për dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve, si dhe rritja e ngacmimeve dhe dhunës ndaj gazetareve femra”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj partie, gjetjet e raportit “dëshmojnë edhe një herë se vendimi i Aleancës për Shqiptarët për të braktisur këtë qeveri ka qenë parimor, i drejtë dhe plotësisht në përputhje me vërejtjet e faktorit ndërkombëtar”.
Duke iu referuar ndryshimeve të miratuara në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio-Audiovizuale, ASh i cilëson ato si “hap prapa” për lirinë e medias. “Këto ndryshime mundësojnë financimin e reklamave të qeverisë te transmetuesit komercialë nën justifikimin e ‘interesit të lartë publik’. Shoqatat e pavarura të medias me të drejtë e kanë cilësuar këtë si rikthim në praktikat e korrupsionit dhe klientelizmit”, thuhet në deklaratë.
Partia kërkon që “të ndërpriten menjëherë praktikat ligjore dhe politike që cënojnë pavarësinë e medias” dhe që “qeveria të garantojë mbrojtjen efektive të gazetarëve nga dhuna, kërcënimet dhe presionet, të rritet transparenca në financimin publik për median dhe të ndalohet përdorimi i parave të taksapaguesve për propagandë politike”.
“Liria e medias është themeli i çdo demokracie funksionale. Çdo cënim i saj është sulm ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të mbrojë fuqishëm këtë të drejtë themelore dhe të kërkojë përgjegjësi nga ata që e shkelin”, mbyllet reagimi. Flaka Media