
BDI: Përjashtimi i shqiptarëve nga Komiteti Olimpik është alarmant
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj përbërjes së re të Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar atë si “përjashtim pothuajse të plotë të shqiptarëve nga strukturat drejtuese dhe vendimmarrëse”.
“Sipas të dhënave, nga gjithsej 117 anëtarë, vetëm 4 janë shqiptarë – një pasqyrë tronditëse e qasjes diskriminuese, e papranueshme për një shtet multietnik dhe europian”, thuhet në reagim.
Partia thekson se mungesa e shqiptarëve është totale në organet kyçe. “Bordi Drejtues: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë. Këshilli Olimpik: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv: 0 shqiptarë. Komisioni i Etikës: 0 shqiptarë. Në Komisionin e Sportistëve vetëm 1 shqiptar nga 6 anëtarë, në Komisionin e Marketingut vetëm 1 nga 6, në Drejtorinë Sportive vetëm 1 nga 5, dhe në Kuvendin e KOK-ut vetëm 1 nga 25 anëtarë me të drejtë vote”, thekson BDI.
Sipas kësaj partie, “në shumicën e komisioneve të tjera – juridike, disiplinë, përfaqësi gjinore, lojëra paraolimpike, shkencë dhe sport, antidoping, financa, e-sport, bord mbikëqyrës dhe komitet për diasporën – përfaqësimi shqiptar është zero”.
“Kjo nuk është vetëm neglizhencë, por pasqyrë e një mentaliteti përjashtues që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, me parimet e barazisë dhe me standardet e shteteve demokratike. Sporti duhet të bashkojë, jo të ndajë; të ndërtojë ura, jo barriera etnike”, vijon reagimi.
BDI kërkon “rishikim të menjëhershëm të kësaj përbërjeje dhe garantimin e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në çdo nivel të Komitetit Olimpik”.
“Çdo vonesë apo shmangie është goditje ndaj të drejtave të barabarta dhe hap i rrezikshëm prapa për stabilitetin ndëretnik në vend. Ne mbetemi të vendosur të mbrojmë barazinë dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, në çdo institucion dhe në çdo fushë të jetës, përfshirë sportin”, përfundon reagimi i BDI-së. Flaka Media