
Shpaloset Pika 6 e Platformës Kombëtare: Diaspora dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Aleanca për Shqiptarët ka prezantuar sot Pikën 6 të Platformës Kombëtare, e cila fokusohet në diasporën shqiptare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, e ka cilësuar diasporën si “pasuri kombëtare” dhe një “forcë të gjallë” që kontribuon në ekonomi, arsim, kulturë dhe politikë.
“Diaspora shqiptare nuk është thjesht një pjesë e shpërndarë e popullit tonë, por një forcë e gjallë që kontribuon çdo ditë, nga ekonomia e arsimi, deri te kultura dhe politika. Aleanca për Shqiptarët është e vendosur që këtë potencial ta kthejë në motor zhvillimi për çdo komunë dhe rajon ku jetojnë shqiptarët,” theksoi Taravari.
Ai paralajmëroi krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për nxitjen e investimeve nga mërgata, përmes lehtësimit të procedurave, ofrimit të kushteve të favorshme dhe hapjes së mundësive për projekte të reja që sjellin punësim dhe mirëqenie.
“Po aq e rëndësishme është ruajtja e identitetit tonë kombëtar në mërgatë. Përmes shkollave plotësuese të gjuhës shqipe, aktiviteteve kulturore, sportive e artistike, do të sigurojmë që çdo brez i shqiptarëve jashtë vendit të mbetet i lidhur fort me gjuhën, traditat dhe vlerat tona,” tha ai.
Taravari nënvizoi edhe rolin e diasporës në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si “një aleat të fuqishëm” për mbrojtjen e interesave kombëtare.
“Një komb që bashkohet me diasporën e tij është një komb i pathyeshëm. Ky është besimi ynë. Kjo është rruga jonë,” përfundoi kryetari i ASH-së.
Në vijim, partia pritet të prezantojë edhe pikat e tjera të Platformës Kombëtare, e cila sipas saj do të shërbejë si udhërrëfyes politik për forcimin e pozitës së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Flaka Media