
Çallëmdiset Mickoski: 29 automjete të reja të blinduara rrisin kapacitetet e Armatës
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një ngjarjeje zyrtare për prezantimin e automjeteve të blinduara të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara, theksoi rëndësinë e forcimit të Armatës si investim në paqen afatgjatë dhe mbrojtjen e vendit.
“Kur investoni dhe e forconi armatën, kjo do të thotë se investoni në paqe afatgjate dhe investoni në mbrojtjen e atdheut tuaj,” – u shpreh Mickoski.
Ai potencoi se prioritet kryesor i qeverisë është siguria e shtetit, ruajtja e paqes dhe stabilitetit, duke e lidhur këtë direkt me modernizimin e Armatës maqedonase.
“Ngadalë por sigurt po e kompletojmë dhe po e forcojmë Armatën maqedonase. Nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë edhe më tej,” – tha ai, duke shtuar se buxheti do të planifikohet për investime të mëtejshme në zhvillimin e forcave të armatosura dhe infrastrukturës kritike.
Mickoski theksoi gjithashtu rëndësinë e modernizimit dhe ndërtimit të Korridorit 10 dhe 8, duke i lidhur ato me logjistikën e Krahut Jugor të NATO-s dhe rolin strategjik të Maqedonisë në këtë kontekst.
“Partneritetet ndërtohen, mirëmbahen dhe kultivohen. SHBA-ja është një partner strategjik, dhe ne si Maqedoni jemi një partner i rëndësishëm,” – theksoi kryeministri, duke falënderuar ambasadoren amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në modernizimin e forcave të armatosura.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të mediave, zyrtarë të MVR-së dhe pjesëtarë të Armatës, ku u prezantuan 29 automjete të reja të blinduara që janë pjesë e përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit.