Taravari paraqet pikën e fundit të Platformës Kombëtare: Pa decentralizim të vërtetë nuk ka zhvillim të qëndrueshëm
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sot në Shkup shpalosi pikën e tetë dhe të fundit të Platformës Kombëtare, që lidhet me decentralizimin, administratën e pastër dhe sigurinë publike.
“Aleanca për Shqiptarët beson se zhvillimi i qëndrueshëm i vendit nis nga fuqizimi i komunave tona. Në këtë drejtim, ne angazhohemi për transferim të plotë të kompetencave dhe buxheteve te komunat shqiptare, duke u dhënë atyre mundësinë për vendimmarrje autonome dhe zbatim efektiv të projekteve lokale që përmbushin nevojat reale të qytetarëve,” deklaroi Taravari.
Ai theksoi se përmes forcimit të institucioneve lokale dhe transparencës maksimale, synohet një qeverisje lokale të drejtë dhe të përgjegjshme, ku qytetarët janë pjesëmarrës aktivë në çdo vendim përmes platformave digjitale dhe komunikimit të hapur.
Sa i përket administratës komunale, Taravari tha se ajo do të bazohet në meritokraci dhe profesionalizëm, duke eliminuar punësimet politike dhe klientelizmin.
“Shërbimet komunale do të digjitalizohen, duke u bërë më të shpejta, më efikase dhe më të qasshme për çdo qytetar. Çdo qytetar do të ketë mundësi të dijë se si shpenzohet çdo denar i buxhetit të komunës së tij,” u shpreh ai.
Në aspektin e sigurisë publike, Taravari premtoi përfaqësim të barabartë të shqiptarëve në polici dhe zjarrfikës, si dhe investime në ndriçim publik, kamera sigurie dhe rrugë të sigurta.
“Koncepti ynë ‘Lagje e Sigurt’ vendos përgjegjësi të drejtpërdrejtë në çdo njësi lokale për sigurinë e komunitetit, duke e bërë qytetin tonë një vend më të sigurt për të gjithë,” tha ai.
Në përmbyllje, kreu i ASH-së bëri thirrje për bashkim politik dhe qytetar rreth kësaj platforme:
“Ftojmë të gjitha partitë politike dhe qytetarët shqiptarë të bashkohen në përkrahje të saj, për të ndërtuar një të ardhme të fortë, të drejtë dhe të qëndrueshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut,” përfundoi Taravari.






